ASH e Taravarit nga krtikuese në zëdhënëse e BDI-së!

Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut rrallë ka qenë më e ngarkuar me kontradikta se sot. Në qendër të këtij debatit është Arben Taravari lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), i cili vetëm disa vite më parë shihej si një zë ndryshe, kritik i pashoq i BDI-së dhe i vetë Ali Ahmetit, ndërsa sot perceptohet si një zëdhënës indirekt i saj. Ky ndryshim qëndrimesh për 180 shkallë për më pak se një vit është e dëmshme për një lider, sepse gjithçka mund të krijohet ndaj tij por vetëm besim jo. E arma dhe shtylla kryesore e një lideri është besueshmëria, shkruan Zhurnal.

Çfarë thoshte Taravari për VLEN-in kur ishte aty?

Kur koalicioni opozitar VLEN u formua Taravari u shfaq si një nga mbështetësit më të fortë, madje e shihte këtë bashkim si moment historik për shqiptarët në Maqedoni.

“Koalicioni VLEN është mrekullia që do ta sjellë ndryshimin tek shqiptarët. Më 8 maj do të ndodhë rotacioni politik.”pati deklaruar Taravari në prilli të vitit 2024.

Ai vazhdonte tutje po me këtë ritëm duke inkurajuar qytetarët shqiptarë që të mbështesin VLEN-in, pasi sipas tij shqiptarët nuk duhej të ishin peng i një partie politike duke aluduar në BDI-në.

“Vota për VLEN është vota për shpresë. Është koha që shqiptarët të mos jenë më peng i një partie.” pati deklaruar Taravari në maj të vitit 2024.

Këto fjalë shënuan fillimin e një entuziazmi të madh në elektoratin shqiptar i cili e pa për herë të parë një mundësi reale për t’i dhënë fund monopolit politik të BDI-së. Por ky entuziazëm nuk zgjati shumë për mbështetësit e Taravarit që janë në taborrin e tij pasi një vit më vonë shpresën e mbijetesës politike e panë në prehërin e Ahmetit.

Çfarë thoshte Taravari për BDI-në dhe Ahmetin?

Po aq i qartë sa me VLEN-in ishte edhe në raport me BDI-në dhe Ali Ahmetin. Taravari ndërtoi një pjesë të kapitalit të tij politik mbi kritikat ndaj kësaj partie dhe liderit të saj.

“Ali Ahmeti për 20 vjet nuk arriti t’i sjellë kanalizim fshatit të tij në Zajaz. Kjo tregon gjithçka për mënyrën si ka qeverisur BDI-ja.”pati deklaruar Taravari në vitin 2024 nga foltorja e Kuvendit.

AI nuk hezitonte të bënte thirrje të vazhdueshme që BDI duhet të shkojë në opozitë por kur ndodhi kjo pa menduar dy herë iu bashkangjit Ahmetit në opozitë.

 “BDI duhet të shkojë në opozitë. Kjo është e vetmja mënyrë që të rigjenerohet dhe shqiptarët të fitojnë zhvillim të vërtetë.” ka deklaruar Taravari në shkurt të vitit 2024.

Pra, dikur Taravari ishte simboli i opozitarizmit ndaj BDI-së duke e sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, pra pa kursyer asgjë.

Nga kritiku te mbrojtësi i papritur –

E njëjta figurë që dje fliste për dështimin e Ali Ahmetit sot përdor gjuhë të ashpër ndaj VLEN-it, duke i akuzuar për punësime klienteliste dhe mungesë serioziteti. Në këtë mënyrë, Taravari është perceptuar si më afër narrativës së BDI-së madje shpeshherë ngjanë se është shndërruar në zëdhënës të shkëlqyeshëm të BDI-së.

Nëse dikur shihej si simbol i ndryshimit sot Taravari shihet si shembull i një lideri që thotë një gjë sot dhe të kundërtën nesër. Ai mund të krahasohet si profesionist, si administrator apo si figurë publike, por si lider politik me koherencë dhe besueshmëri mbetet larg pritshmërive.

Taravari është sot në udhëkryq të zgjedhë nëse do të rikthehet si kritik i pandërprerë i status quo-së, apo të mbetet në kujtesën politike si një zë që përfundoi në rolin e zëdhënësit të BDI-së. Nëse ndodh kjo e dyta, ai rrezikon ta humbasë përgjithmonë kapitalin politik që e bëri të rëndësishëm në fillim krejt në kurriz të sulmeve dhe kundërshtimit të politikave të BDI-së. /Zhurnal.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *