ShiwBiz

Publikimi i videos së vëllait të Gjestit, reagon ashpër Olti Curri: Ju që e xhiruat jeni përbindësha

Gazetari i njohur Olti Curri ka reaguar me tone të forta kundër shpërndarjes së videove makabre nga vendi i aksidentit tragjik në Pejë, ku humbi jetën Eldion Kelmendi, vëllai i Gjest Kelmendit, shkruan Raporto24.

Në një video të publikuar në kanalin e tij në YouTube, Curri denoncon ashpër ata që kanë filmuar dhe shpërndarë pamjet e rënda, duke i quajtur “përbindësha të rrjeteve sociale”, të cilët – siç thekson ai – nuk ndihen për fatkeqësinë e askujt, por kërkojnë klikime dhe vëmendje në rrjete sociale.

“Dua të flas dhe të thellohem për sa u përket përbindëshave të rrjeteve sociale. Njëherë mendova t’i quaj kafshë, por jo, janë përbindësha të rrjeteve sociale; njerëz që nuk duan t’ia dinë për fatkeqësinë e një të panjohuri ose një personazhi të njohur, por marrin telefonin dhe xhirojnë skena makabre duke i shpërndarë me Snapchat e rrjete sociale. Madje mua më sollën në inbox.”

Curri tregon se ka marrë personalisht pamje të tmerrshme të djaloshit të gjakosur, të cilat – sipas tij – janë shpërndarë edhe nëpër gazetarë të tjerë dhe figura publike. Ai e cilëson këtë veprim si një akt kriminal dhe çnjerëzor.

“Ma sollën në inbox një pamje të tmerrshme të vëllait të Gjestit të gjakosur dhe mora vesh se shumë personazhe të tjerë të showbiz-it e kanë marrë këtë video dhe ka qenë një moment i tmerrshëm, një moment i cili tregoi edhe njëherë tjetër për gjarpërinjtë, për përbindëshat, për njerëzit e ulët…”

Ai vë theksin edhe te mungesa e ndërgjegjes dhe ndjeshmërisë ndaj dhimbjes njerëzore, sidomos në një moment kur duhej dhënë ndihma e parë dhe jo të xhirohej viktima.

“…unë kam përshtypjen që duhet ndarë në qenie superiore dhe inferiore, dhe ato ishin qenie inferiore, të cilët në një rast aksidenti, kur një djalë që s’i ka mbushur 18 vjet aksidentohet, duhet të vijë ndihma e shpejtë, duhet të vijë policia, ambulanca, një ndihmë nga njerëz rreth e qark.”

Gazetari shpreh indinjatë të thellë edhe për faktin që videoja iu dërgua gazetarëve e u shpërnda në rrjet.

“…por që të bëjë një video dhe ta postoje dhe t’ia shpërndaje gazetareve të njohur, te një djaloshi i shtrirë përtokë i gjakosur, pamje makabre… Çfarë do të mendojnë ata kur të shohin këtë video, pasi të ketë mbaruar ceremonia mortore dhe të jenë vetëm e të izoluar mes katër mureve me dhimbjen e tyre?”

Duke folur për etikën mediatike dhe shoqërore, Olti vijon më tej me tone të forta:

“…ti je askushi, ti nuk je media; edhe sikur të ishte media, nuk lejohet nga ana etike, njerëzore, fetare… Shoqëria shqiptare është e sëmurë.”

Ai e quan këtë akt si një “krim për vëmendje”, duke shtuar se autorët janë ose kriminelë, ose në rrugën për t’u bërë të tillë:

“…ju jeni kriminelë, ju ose keni bërë krime, ose herët a vonë keni bërë krime… shpresoj që përpara se të bëni këto krime, Zoti t’ju paraprijë dhe të ndalojë dorën tuaj…”

Në fund, Curri spekulon për formimin dhe arsyet që mund ta shtyjnë dikë të kryejë një akt të tillë, duke i cilësuar autorët si kulmi i injorancës njerëzore.

“…kam të drejtë të mendoj se kemi të bëjmë me kulmin e injorancës njerëzore dhe për fat të keq ne u njohëm me këtë kulm pikërisht në një tragjedi të madhe për një njeri… një dorë kriminale, një dorë që shpresoj edhe njëherë tjetër që Zoti ta ndalë… Tu thaftë dora.”

Përmes këtij reagimi të drejtpërdrejtë, Olti Curri kërkon përgjegjësi morale dhe ndërgjegjësim shoqëror, duke bërë thirrje që dhimbja të mos bëhet objekt për konsum mediatik apo vëmendje të sëmurë në rrjete sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *