Në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut përplasjet mes figurave të rëndësishme shpesh nuk janë vetëm çështje individësh por edhe përfaqësime të dy qasjeve të ndryshme politike, strategjike dhe morale. Rasti i fundit i përballjes mes Izet Mexhitit dhe Bujar Osmanit e dëshmon këtë ndarje të thellë brenda spektrit politik shqiptar. Pra, janë dy figura politike që kanë tërhequr pothuajse tërë vëmendjen e publikut jo vetëm shqiptarë por gjithandej, sikurse rezultate në Çair determinon shumë gjëra pas zgjedhjeve, shkruan Zhurnal.
Çfarë tha Izet Mexhiti në tubimin madhështor në Çair?
Nga fjalimi i tij në Çair, Izet Mexhiti, shfaqet si një figurë që përpiqet të përforcojë imazhin e politikanit të lidhur ngushtë me bazën. Ai e pozicionon veten si njeri që sakrifikon pushtetin qendror “e lë qeverinë për Çairin” për të qenë më afër qytetarëve.
Ky narrativ synon ta shfaqë si alternativën “autentike”, që përfaqëson interesin e komunitetit dhe jo të klaneve politike.
Në të kundërt, Mexhiti e akuzon Osmanin si “i zgjedhuri i Soravisë”, pra një figurë që nuk mbështetet nga populli, por nga interesat e brendshme të BDI-së dhe strukturat që ai i quan matrapazë të politikës. Në këtë këndvështrim dallimi mes tyre nuk është vetëm personal por strukturor njëri përfaqëson politikën e terrenit, tjetri politikën e korridoreve të pushtetit.
Çairi si simbol i betejës morale dhe politike –
Mexhiti zgjedh Çairin jo vetëm si një bazë elektorale por si një arenë morale. Duke e krahasuar “Çairin” me “Soravinë”, ai krijon një kontrast simbolik mes përfaqësimit të qytetarëve dhe interesave të mbyllura të klanit politik. Për të, Çairi nuk është thjesht një komunë por vendi ku shqiptarët fillojnë një “fitore kolektive” përtej partive.
Bujar Osmani, nga ana tjetër perceptohet nga Mexhiti si personi që e instrumentalizon Çairin vetëm për të mbijetuar politikisht dhe për t’i shpëtuar hetimeve të mundshme. Kjo e kthen betejën në një garë jo vetëm për vota, por për legjitimitet moral.
Izet Mexhiti përdor një gjuhë të fortë morale “matrapazë”, “duar të përlyera me gjakun shqiptar”, “shpëtim penal”. Këto nuk janë vetëm akuza politike, por tentativë për ta paraqitur kundërshtarin si figurë të korruptuar e të kompromentuar. Në të kundërt, ai e paraqet veten si lider që sjell reforma konkrete investime në shkolla, infrastrukturë dhe universitete.
Megjithatë, dallimi mes Mexhitit dhe Osmanit nuk është thjesht personal ai lidhet me fatin e BDI-së. Mexhiti e paraqet veten si figurë që po shkund sistemin e krijuar nga BDI, ndërsa Osmanin si simbol i mbijetesës së atij sistemi. Ai madje u bën apel militantëve të BDI-së të bashkohen me VLEN-in, duke e paraqitur BDI-në si “parti të tjetërsuar që po ikën nga vetja”.
Pra, dallimi kryesor i tyre është se Mexhiti kërkon të përfaqësojë ndryshimin dhe moralin e ri politik, ndërsa Osmani shihet si garant i status quo-së. Ndryshe, dallimi mes dy figurave është edhe dallim se si i qasen publikut. Izet Mexhiti politikën e ka më shumë të bazuar në terren, përfaqësim direkt i komunitetit, fokus në reforma konkrete dhe retorikë morale.
Derisa Bujar Osmani nga ana tjetër politikën e ka të bazuar në pushtet qendror, kompromis me struktura të brendshme, mbijetesë në sistem dhe pragmatizëm.
Kujtojmë që, për publikun shqiptar kjo përballje nuk është vetëm zgjedhje mes dy kandidatëve por mes dy vizioneve për të ardhmen e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Një vizion që kërkon të thyejë të vjetrën dhe një tjetër që mundohet ta mbrojë atë. /Zhurnal.mk