Zjarri në depon e mbetjeve elektronike dhe të plastikës në Trubarevë të Shkupit është vënë në kontroll

Zjarri në depon e mbetjeve elektronike dhe të plastikës në Trubarevë të Shkupit është vënë në kontroll
Zjarri në Trubarevë, i cili shpërtheu në depon për riciklimin e mbeturinave plastike dhe elektronike, sot ishte i shuar por tymi vazhdonte pa ndërprerë.

Djegie aktive nuk ka, por tymi vazhdonte nga toka e mbuluar me rërë. Zjarrfikësit dhe ekipet me automjete të rënda i takuam në terren. Vazhdonin aktivitetet për mbulimin e tërësishëm të zonës problematike.

Disa banorë të Trubarevës nuk ishin evakuuar edhe përkundër rekomandimeve, ndërsa disa tjerë kishin shfrytëzuar fundjavën që të largohen nga vendi. Banorët që takuam në vendngjarje lëviznin pa ndërprerë dhe pa pasa mbrojtëse.

Dëshmitarë të ngjarjes tregojnë momentet e para të zjarrit në Trubarevë.

Ju këtu jetoni? Po, këtu. A nuk u ofruan maska, a u thanë të mbrohuni? Jo, Jo, asgjë. A e patë zjarrin kur filloi? Po, dje e pashë, por nuk e di kur filloi. A u thanë të evakuoheni? Jo. Askush asgjë, tha një Banor i Trubarevës.

Pesëmbëdhjetë minuta pasi ndodhi zjarri isha aty që të ndihmoj aty që kishte plastikë por digjej shpejtë dhe nuk kishte zgjidhje, të gjithë thirrën që të vinë zjarrfikësit por erdhën vetëm dy dhe ajo nuk mjaftonte. Zjarri i përfshiu të gjitha pjesët, pra isha aty. Ku jetoni ju? Unë jetoj afër, diku 100 metra. A u ndanë maska? Jo, erdhën mbrëmë rreth orës 23:00 dhe na thanë që ose të largohemi ose të qëndrojmë brenda dhe të mos dalim jashtë. Ju vendosët të qëndroni këtu? Ku të shkoj, nuk kam ku të shkoj,” tha një tjetër Banor i Trubarevës.

Sipas komandantit të brigadës së zjarrfikësve, Zvonko Tomevski, nuk ka zjarrfikës të lënduar ndërsa deri në mesditë është mbuluar 80 % e pjesës ku tymonte. Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit të ndihmuar edhe nga ushtria dhe policia, punuan në shuarjen e zjarrit.

Këtë aksion e quaj të suksesshëm sepse asnjë nga kolegët nuk është lënduar të gjithë janë kthyer në shtëpi të sigurt dhe po ashtu edhe nga banoret asnjë nuk kërkoi ndihmë nga ne dhe këtë aksion e quaj të suksesshëm sepse këto lloj zjarresh janë të rënda të cilët rëndë shuhen por falë organizimit të institucioneve arritëm që të vendosim nën kontroll që ishte befasuese edhe për mua. Era e pakëndshme është tërhequr dhe nuk është ajo e djeshmja dhe shpresoj që gjatë ditës do të jetë tërësisht i mbuluar dhe nuk do të kemi tym në te,” deklaroi Zvonko Tomevsk  – Komandant i brigadës së zjarrfikësve Shkup.

Për shkak të ndotjes së lartë të ajrit në zonën rreth depos së djegur, nga dita e nesërme, nxënësit e Trubarevës, mësimin do ta ndjekin online për një periudhe një javore. /alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *