Kombëtarja e Marokut ka mbyllur fazën e grupeve me një fitore dramatike 4-2 kundër Haitit, duke siguruar biletën për në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Kjo sfidë, e treta dhe e fundit për Grupin C, dhuroi emocione të pafundme dhe vendosi përfundimisht fatet e të dyja kombëtareve. Me këtë triumf, “Luanët e Atlasit” grumbulluan 7 pikë në total, po aq sa Brazili kryesues i grupit, por e mbyllin fazën në vendin e dytë për shkak të golavarazhit më të dobët.
Ndeshja nisi me një skenar të paimagjinueshëm kur, në minutën e 10′, një autogol fatkeq i portierit maroken Yassine Bounou kaloi Haitin në avantazh. Ky ishte një moment historik, pasi Haiti arriti të gjejë rrugën e rrjetës në një Kampionat Botëror pas plot 52 vitesh pritje. Maroku reagoi me anë të Achraf Hakimit në minutën e 39′, por Wilson Isidor realizoi një gol fantastik për haitianët në të 43′, duke i rikthyer sërish në avantazh. Gjithsesi, gëzimi i tyre zgjati pak, pasi në shtesën e pjesës së parë, në minutën e 45’+1, Ismael Saibari vendosi ekuilibrat duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me barazimin 2-2.